Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar për herë të parë të marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj tij në GJKKO, si dhe ka kërkuar shtyrjen e saj për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Përmes një letre dërguar gjykatës, Veliaj ka treguar se atij i është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa prej 10 ditësh kërkon dokumentacionin mjekësor pa marrë asnjë shpjegim.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësor, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”, shkruan Veliaj në letër.
Ndërsa gjatë seancës, prokurori Altin Dumani ka deklaruar se Prokuroria nuk disponon dekumentacione mjekësore që të tregojnë gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
“Ne nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kundërshtoi pretendimet e prokurorit, duke theksuar se Prokuroria është në dijeni të gjendjes shëndetësore të klientit të tij. Sipas tij, Veliaj kërkon informacion të plotë mbi gjendjen e këmbës së tij, në mënyrë që të konsultojë më një mjekë.
“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Këtë thotë edhe i pandehuri, kërkon info mbi situatën reale të këmbës dhe grafinë për ta konsultuar me mjek. Nuk i jepet kartela mjekësore. Veliaj e ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë,” shprehet Ndreca.












