Deputetja Elisa Spiropali, tashmë e përjashtuar nga çdo funksion drejtues në Partinë Socialiste ka mbërritur disa orë me vonesë në parlament ku po diskutohet për projektbuxhetin e 2027.
Ajo është parë të futet në sallë në orët e pasdites, ndërsa paradite, kohë kur edhe kryeministri Rama ka mbajtur fjalën e tij ajo nuk ka qenë e pranishme.
Me një buzëqeshje u kthehet ajo gazetarëve që po e filmojnë duke hyrë në sallën e parlamentit vetëm pak ditë pas përplasjes me kryeministrin Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Me të mbërritur në parlament Spiropali fillimisht është ulur pranë deputetit Bledi Çuçi me të cilin duket se po zhvillon një bisedë, ndërsa më pas u zhvendos në vendin e saj krah Lindita Nikollës.

Pas rreth 8 orësh nga nisja e seancës, kur mbërriti ajo, shumica e deputetëve ishin larguar, duke lënë pas shumë karrige bosh.
Pas debateve në Asamble u mor vendimi që Spiropali të përjashtohet nga çdo funksion në Partinë Socialiste, bashkë me Plarent Ndrecën. Ishte sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi i cili njoftoi se Spiropali është përjashtuar nga të gjitha forumet e larta të partisë, përfshirë Kryesinë, Asamblenë apo edhe si drejtuese politike në një njësi në Tiranë. Tashmë ajo është vetëm një anëtare e thjeshtë e PS.












