Ndonëse dje studentë dhe pedagogë refuzuan që të dialogonin me të, kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karrige para Kryeministrisë me mbishkrimin “Dialog”.
Teksa dakordësohet për mbajtjen e protestave, për të disatën herë kryeministri thekson se asnjë nga arsyet nuk e justifikon dhunën dhe bën ftesë që të dialogohet mes palëve, ndërsa shton se dhunuesit do të përballen me ligjin për dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve gjatë këtyre ditëve.
“Ka një mijë një pakënaqësi, ka njëmijë e një halle, një mijë e një probleme mund të ketë dhe një mijë e një arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun. Për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzish që kanë të njëjtën shtëpi për përbashkët, mes njerëzish që duan të njëjtën gjë në fund të fundit: si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë.”, shprehet Rama në videon e postuar mëngjesin e sotëm.
Edhe pse u refuzua haptazi ditën e djeshme nga studentët edhe pedagogët e vendit, Rama sërish sot këmbëngul për të dialoguar, në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje për një Shqipëri sa më të mirë. Ndërsa shprehet se çdo dhunues do të marrë përgjigjen që i takon përsa i përket akteve të dhunës, për dëmtimin që u kanë shkaktuar bizneseve dhe institucioneve gjatë këtyre ditëve.
“E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës.
Por, në të njëjtën kohë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më mirë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shumë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shpejt, bëhet me punë, bëhet me të ardhurat nga puna, bëhet duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Distanconi nga dhuna dhe, nga ana tjetër, çdo dhunues do të marrë përgjigjen.
Përgjigja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante; përgjigja do të jetë ligjore, përgjigja do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve; në Shqipëri secili do ta ketë vendin e vet, por, nga ana tjetër, liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e tjerëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike dhe të bashkëjetesës paqësore.” thekson Rama.
Nga ana tjetër, qindra studentë e pedagogë pritet të bëhen sërish bashkë sot në orën 10:00 të mëngjesit para Politeknikut, ku pastaj njëjtë si dje, do marshojnë në drejtim të Kryeministrisë ku do përballen dhe me karriget dhe ftesën për dialog të Edi Ramës.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigja e protestuesve për kryeministrin, nëse ata do ta refuzojnë sërish sot apo jo. Vlen për t’u theksuar se në rrjet kanë qarkulluar thirrje se studentë dhe pedagogë kanë zgjedhur të boshatisin auditoret deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama.












