Nga Engjëll Serjani
Gjirokastra kryeqendra e Jugut dhe një nga pionieret e turizmit shqiptar, ndodhet sot shumë pranë rikthimit në funksion të aeroportit të saj, të ndërtuar rreth një shekull më parë.
Ky është një investim me rëndësi jetike dhe strategjike për qytetin e UNESCO-s, por edhe për të ardhmen e zhvillimit ekonomik e turistik të gjithë rajonit jugor.
Më ka mbetur në kujtesë një shprehje e një piloti italian, i cili, duke folur për rëndësinë e aeroportit të Gjirokastrës dhe ndikimin e tij në zhvillimin turistik të Jugut, theksonte: “Rikthimi në funksion i aeroportit të Gjirokastrës është një investim me kosto modeste, por me vlerë të jashtëzakonshme”.
Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e kostove fillestare janë tashmë të përballuara: studimet për pozicionin e aeroportit, pista ekzistuese, sistemi i drenazhimit të ujërave, një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës, si dhe trualli që është pronë publike. “Një kilometër rrugë e asfaltuar nuk të çon askund, por një kilometër pistë aerodromi të çon në gjithë botën”, ishte një tjetër vlerësim domethënës i pilotit italian.
Jugu dhe Gjirokastra, me zhvillimin e bujshëm turistik të viteve të fundit, e meritojnë të lidhen drejtpërdrejt me Europën dhe botën, nëpërmjet standardeve moderne të komunikimit dhe transportit.
Këto ditë, me shpalljen e garës për projektin e Aeroportit të Gjirokastrës, procesi i rikthimit të tij në trafikun ajror kombëtar dhe ndërkombëtar ka hyrë në një fazë të re, atë të vlerësimeve dhe studimeve të fizibilitetit. Ky është një proces profesional, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të përcaktuar mundësitë reale, kapacitetet dhe kushtet e funksionimit të ardhshëm të aeroportit.
Megjithatë, krahas interesimit, lobimit dhe pritshmërive pozitive, nuk kanë munguar as interpretimet skeptike dhe komentet pesimiste. Përballë disa prej këtyre qëndrimeve kanë reaguar anëtarët e Forumit për Aeroportin e Gjirokastrës, një nismë qytetare që prej afro dy dekadash lobon për rifunksionalizimin e tij.
Si anëtar dhe pjesë e Forumit të Aeroportit të Gjirokastrës, e konsideroj të nevojshme të sjell në vëmendjen publike jo vetëm rëndësinë e kësaj nisme, por edhe qëndrimin e forumit përballë disa interpretimeve që, në vend të debatit mbi argumentet, rrezikojnë të paragjykojnë vetë projektin.”
Në një takim të këtij forumi u theksua se interpretimet kundër nismës së qeverisë për hapjen e garës nuk duhen parë vetëm si paragjykime, por edhe si qëndrime që rrezikojnë të krijojnë barriera të panevojshme për një projekt me interes të gjerë publik. Sipas anëtarëve të forumit, në një moment kur po shqyrtohen mundësi konkrete për zhvillimin e rajonit, nevojitet më shumë vëmendje ndaj argumenteve profesionale dhe më pak paragjykim ndaj vetë idesë së aeroportit.
Hapja e një porte të re komunikimi ajror do të ishte jo vetëm një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit europian, por edhe një mundësi për të tërhequr segmente të turizmit elitar, përfshirë vizitorë që udhëtojnë me avionë çarter dhe kanë interes për destinacione me vlera të veçanta historike, kulturore dhe natyrore.
Një element që e bën këtë projekt edhe më tërheqës është fakti se nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një aeroporti të ri nga e para, por për rivitalizimin e një aerodromi ekzistues, territori i të cilit është i regjistruar në pronësi të Bashkisë Gjirokastër. Kjo përbën një avantazh të rëndësishëm në vlerësimin e kostove të investimit, veçanërisht nëse do të mund të shfrytëzohet infrastruktura ekzistuese dhe të përshtatet sipas standardeve të kërkuara.
Veprimtaritë sportive dhe promovuese ajrore të zhvilluara gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kanë dëshmuar potencialin e kësaj infrastrukture dhe pozicionin e favorshëm gjeografik të saj për aktivitete e fluturime ajrore. Edhe fluturimet e shumta turistike me avionë të vegjël e çarter, të realizuara ndër vite, kanë evidentuar interesin dhe mundësitë që ofron kjo hapësirë. Sigurisht, përcaktimi i kapaciteteve dhe i kategorive të avionëve që mund të operojnë në të ardhmen do të jetë pjesë e studimeve dhe vlerësimeve teknike.
Në deklaratën e Forumit të Aeroportit të Gjirokastrës nënvizohet se kthimi i tij në një aeroport funksional, të menaxhuar sipas standardeve europiane, do të krijonte mundësi të shumanshme për zhvillimin e rajonit.
Së pari, do të nxiste zhvillimin e turizmit, duke afruar vizitorë ndërkombëtarë drejt Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës, Ksamilit, Delvinës dhe destinacioneve të tjera të Jugut. Një aeroport funksional do të lehtësonte gjithashtu udhëtimet vajtje-ardhje të familjeve me të afërm në emigracion, do të përmirësonte lëvizjen e përfaqësuesve të biznesit vendas dhe do të krijonte kushte më të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Përfitimet e pritshme do të shtriheshin edhe në ekonominë lokale, duke nxitur investimet në hoteleri, agroturizëm, gastronomi, shërbime, transport dhe sipërmarrje të vogla e të mesme. Një zhvillim i tillë do të krijonte edhe mundësi të reja punësimi, veçanërisht të rëndësishme për një prej rajoneve më të prekura nga emigracioni masiv.
Ndërkohë, Gjirokastra, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, dhe gjithë rajoni jugor do të fitonin një mundësi të re për promovimin ndërkombëtar të pasurive të tyre historike, kulturore dhe natyrore.
Në fund të fundit, aeroporti nuk është thjesht një pistë dhe një infrastrukturë për uljen e ngritjen e avionëve. Ai është një mundësi për të hapur horizonte të reja komunikimi, për të afruar tregjet turistike dhe për t’i dhënë një dimension tjetër zhvillimit rajonal.
“Zhvillimi i integruar rajonal është një shans i madh për ta parë Jugun si një hapësirë të përbashkët ekonomike, turistike dhe kulturore, dhe jo si një rajon të izoluar e të braktisur”, përfundon reagimi i anëtarëve të Forumit të Aeroportit të Gjirokastrës.












