Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar anëtarët e Partisë Socialiste se nuk do të ketë më vend në parti për ata që nuk angazhohen në përmbushjen e detyrave politike.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Tiranë, Rama u ndal te tensionet brenda socialistëve, duke nënkuptuar edhe deputeten Elisa Spiropali dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg.
Kreu i qeverisë theksoi se ata që janë të lirë nuk duhet të lihen pa përgjegjësi dhe të mos angazhohen në detyrat e tyre brenda partisë.
“Mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, por na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë e bindur se e ka fitoren në xhep”, u shpreh Rama.
“Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, deklaroi kryeministri.












