Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të premte për mediat lidhur me protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke u ndalur te përplasjet, dhuna dhe raportimet mbi të lënduarit gjatë tubimeve.
Rama i cilësoi ngjarjet e ditëve të fundit si periudhë të “terrorit psikologjik” mbi kryeqytetin dhe popullin shqiptar. Gjithashtu ai theksoi se e drejta për të protestuar është e pamohueshme dhe e padiskutueshme për çdo qytetar, por nënvizoi se dhuna nuk mund të justifikohet.
Ai kritikoi se si protestat dhe përplasjet janë pasqyruar në disa ekrane mediatike, duke pretenduar se dhuna është relativizuar dhe glorifikuar.
“Jam këtu për të ndarë me ju një nga komponentët e asaj që ndodhi në ditët e terrorit psikologjik mbi kryeqytetin dhe popullin e Shqipërisë. Komponentë që po zbërthehen dhe po çmontohen hap pas hapi.
Ndërkohë që e drejta për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari, në Shqipëri dhuna është një krim i parelativizueshëm. Dhe, për fat të keq, në protestat e javës së fundit u bënë bashkë të dyja. Nga njëra anë, liria për të protestuar dhe, nga ana tjetër, dhuna si një krim u relativizua dhe u glorifikua në ekranet e korruptuara. Shqipëria, orë e çast, pa me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkua me idenë tërësisht të rreme se studentë idealistë dhe të pafajshëm u vunë nën dhunë policore. Një përmbysje dramatike dhe manipuluese”, -tha Rama.
Mesditën e kësaj të premte, në lidhjen Live të titulluar “Student? Jo!”, kryeministri Rama shfaqi fotografitë e personave me sytë e mbuluar dhe identitetet e tyre të paraqitura me iniciale, duke zbuluar se këta persona që angazhohen në protesta rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.
“Po, ndaj me ju pamje që do trondisin shumë kënd, është ruajtur konfidencialiteti në respekt të ligjit, të gjithë janë persona të ndaluar dhe subjekt i ligjit, u ndaluan në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë, nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata student që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban por që qëndrojnë në një front proteste.
Përmes Instagramit dhe Tiktok e mbështesin se shikojnë te dhuna një mundësi për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të vendit dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarë. Fytyra që janë paguar nga krimi organizuar dhe forca të huaja që duan të përmysin Shqipërinë. Këta nuk janë studentët e kam thënë që në krye të herës, dhe tani është koha që kjo fjali të mbështetet nga fakte e dokumenta.”,tha Rama.












