Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot për të katërtën ditë me radhë, duke ju ofruar studentëve dialog për kërkesat e tyre, ndërsa ata kanë njoftuar protestë kombëtare këtë të shtunën nën zyrën e tij.
Kreu i qeverisë ka publikuar një video të shkurtër nga “sofra e dialogut” që ka shtruar në oborrin përpara Kryeministrisë, duke tentuar t’i ulë studentët si burrat e qëmotit. Më parë, ai kishte vendosur në bulevard karrige e kolona të vogla gurësh.
Studentët do të zhvillojnë sot protestë kombëtare në Tiranë, duke nisur nga Ministria e Arsimit dhe më pas Kryeministria. Revoltës së tyre u janë bashkuar edhe partitë opozitare, me më të madhen Partinë Demokratike, e cila ka njoftuar të gjitha strukturat të jenë në bulevard, në solidaritet me studentët.
Edhe Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH) kanë shprehur solidaritet me kërkesat e nxënësve dhe studentëve, duke njoftuar se do të jenë nesër në protestën kombëtare.
Ato besojnë se zëri i komunitetit arsimor duhet dëgjuar dhe respektuar, ndaj theksojnë se mbështesin çdo përpjekjeje që synon përmirësimin e arsimit, dinjitetin dhe të ardhmen e brezave të rinj.












