Rënia e euros ka sjellë që pas 23 vitesh çmimet e apartamenteve në vend të tregtohen në monedhën vendase.
Për agjentët imobiliarë, ndryshimi i nisur prej 3 muajsh po shtrihet në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme, përfshirë në shit-blerjen e apartamenteve me kontrata porosie, të përfunduara dhe rishitje.
Nga mesi i vitit 2016, euro filloi nënçmimin e pandalshëm, duke zbritur për herë të parë ditën e sotme nën kufirin e 90 lekëve.
Në raport me nivelin maksimal historik prej 142,8 lekësh, të shënuar më 9 qershor 2011, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 37%, duke arritur një minimum të ri historik më 20 nëntor nën kufirin e 90 lekëve.
Pas tranzicionit të fillim vitit ’90, mallrat e qëndrueshme, si shtëpitë apo automjetet shiteshin në pjesën më të madhe në valutë të huaj, për shkak të pasigurisë së monedhës vendase. Fillimisht shitja kryhej në dollarë. Prej vitit 2003, kur euro u barazua dhe e tejkaloi dollarin në bursa, ajo filloi të ishte dhe monedha e preferuar e shqiptarëve, teksa pagesat e makinave, apartamenteve etj, u konvertuan nga dollari në euro.
Por për shkak të zhvlerësimit të lartë të euros, sipas agjentëve imobiliarë çmimet e pronave në tregun e shitblerjes në rang kombëtar po orientohen drejt lekut, për të shmangur pasigurinë nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Ndryshimi i monedhës së shitjes vjen në një periudhë kur tregu i pasurive të paluajtshme po përballet edhe me stanjacion të kërkesës, ndërsa çmimet nuk kanë ndryshuar.
Por kalimi në lekë nuk është shoqëruar me ulje të çmimeve të apartamenteve. Përkundrazi, në disa raste pronat po ofrohen me çmime më të larta, pavarësisht se kërkesa është në stanjacion.
Kjo do të thotë se forcimi i lekut nuk po përkthehet domosdoshmërisht në përfitim për blerësit, ndërsa zhvilluesit po përpiqen të mbrojnë vlerën e shitjes nga luhatjet e kursit të këmbimit.












