Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është vënë përballë kërkesës për t’u kërkuar falje shqiptarëve lidhur me polemikat për himnin kombëtar pak kohë më parë gjatë një aktiviteti në Pustec.
Përballja ndodhi në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Qafë Thanë, ku gazetari i Xhensil Shkëmbi, e pyeti drejtpërdrejt kreun e ekzekutivit maqedonas nëse e konsideronte të nevojshme një ndjesë për mënyrën se si ishte trajtuar himni shqiptar.
Mickoski nuk kërkoi falje, por kundërshtoi pretendimet për mosrespektimin e himnit, duke deklaruar se ai ishte ekzekutuar gjatë aktivitetit dhe duke i sugjeruar gazetarit se nuk e kishte ndjekur ceremoninë deri në fund.
“Në Pustec jeton komunitet minoritar maqedonas. Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë festën e 22 Nëntorit. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u ekzekutua. Të relaksohemi”, u përgjigj kryeministri maqedonas.
Mirëpo, tensionet e takimit të sotëm nuk u ndalën me kaq. Një gazetar nga Tetova akuzoi Ramën se nuk ka folur për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Ju shpesh herë dini dhe bëheni shokë me kryeministrat. E keni shumë mik Aliahmetin, shpesh herë e bëni mik dhe zotin Mickoski, por nuk shoh se i bëni mik shqiptarët. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka shumë raste që ju kurrë nuk keni reaguar, e asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë. Ju i keni miq kryeministrat zoti Edi Rama, apo do bëni miq shqiptarët?”, tha gazetari nga Tetova.












