Nuk do të ketë rritje të tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgënjeshtruar lajmet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, sipas të cilave pagesa për kalimin në këtë aks rrugor do të shkojë në 8 euro.
Përmes një sqarimi publik, Enea Karakaçi bën të ditur se informacioni është i pavërtetë dhe se aktualisht nuk ka asnjë plan për ndryshimin apo rritjen e tarifës që paguajnë drejtuesit e automjeteve.
Lajmi për një rritje të mundshme të pagesës ka qarkulluar në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje te qytetarët që përdorin këtë aks rrugor. Megjithatë, sipas Ministrisë, tarifa mbetet e pandryshuar dhe nuk ka një vendim për ta çuar atë në 8 euro.
“Ky informacion është i pavërtetë. Nuk ka asnjë rritje të tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka asnjë plan për ndryshimin apo rritjen e tarifës aktuale”, thuhet në sqarimin e Ministrisë.












