Një autostradë e re që do të lidhë Janinën me pikën kufitare të Kakavijës pritet ta shkurtojë udhëtimin në rreth 35–40 minuta, kur projekti të përfundojë në dhjetor të vitit 2029, raportojnë mediat greke.
Projekti parashikon ndërtimin e rreth 70 kilometrave autostradë, me një buxhet prej 310 milionë eurosh. Ai synon të rrisë sigurinë rrugore, të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të përmirësojë lidhjet mes Greqisë, Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Punimet kanë nisur dhe po vijojnë në tri zona kryesore: Kosmira, Asvestochori dhe në kryqëzimin ku rruga e re do të lidhet me autostradat Ionia Odos dhe Egnatia Odos.
Projekti ndahet në dy segmente. I pari përfshin 46,4 kilometra nga Janina në Kalpaki, ku janë planifikuar gjashtë kryqëzime të ndara në nivele. I dyti shtrihet për 23,1 kilometra nga Kalpaki deri në pikën kufitare të Kakavijës dhe parashikon përmirësimin e rrugës ekzistuese drejt Shqipërisë.
Me përfundimin e tij, udhëtimi prej rreth 264 kilometrash nga Antirrio në Kakavijë, përmes Janinës, pritet të zgjasë rreth dy orë e 15 minuta.
Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë greke për projektet rrugore, përfundimi i autostradës Janinë–Kakavijë është parashikuar për dhjetor 2029.












