Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për herë të parë ndaj pretendimeve se Lëvizja Vetëvendosje qëndron pas protestave qytetare në Shqipëri, duke mohuar çdo përfshirje të forcës politike që drejton në organizimin apo nxitjen e tyre.
Kurti u shpreh se kishte ndjekur me habi përpjekjet për t’ia atribuar partisë së tij protestat në Tiranë.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistë e anëtarë të tjerë, ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese”, deklaroi Kurti.
Kryeministri i Kosovës kujtoi se Vetëvendosje ka një histori të gjatë protestash, por theksoi se asnjëherë nuk ka vepruar në mënyrë të fshehtë dhe nuk ka përdorur të tjerët për të realizuar qëllimet e veta politike.
“Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve. As nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë ndokush tjetër, por as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, u shpreh Kurti.
Kurti theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të shihen si marrëdhënie rivaliteti politik apo institucional.












