Qeveria Rama ka miratuar një strategji që parashikon heqjen graduale të kategorive të vjetruara EURO të automjeteve gjatë periudhës 2027–2030, me synim reduktimin e ndotjes dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Dokumenti parashikon shprehimisht “zbatimin e standardeve evropiane mbi homologimin e mjeteve dhe emetimet e tyre, me heqjen graduale të kategorive të vjetëruara EURO”.
SHIKONI LISTEN E MAKINAVE
Cilat janë makinat që mund të preken?
Nga një verifikim i periudhave të prodhimit të automjeteve me standardet Euro 3 dhe Euro 4, duke identifikuar modelet më të njohura të Mercedes-Benz, Volkswagen, Audi, Ford, etj., që mund të bëhen subjekt i kufizimeve të ardhshme.
Standardi Euro 3 u aplikua për modelet e reja europiane duke nisur nga viti 2000, ndërsa Euro 4 nga viti 2005. Në përgjithësi, makinat Euro 3 i përkasin kryesisht periudhës 2000–2005, ndërsa ato Euro 4 periudhës 2005–2009, megjithëse ka përjashtime sipas motorit dhe versionit.
Kjo do të thotë se bëhet fjalë për automjete që aktualisht janë kryesisht 17 deri në 26 vjet të vjetra. Më poshtë janë modelet që janë prodhuar me këto standarde dhe që, në varësi të vitit të prodhimit dhe motorit, mund të përfshihen në kufizimet e ardhshme.
Çfarë do të ndodhë me këto automjete?
Strategjia e qeverisë parashikon një proces gradual të eliminimit të kategorive të vjetruara EURO deri në vitin 2030, por nuk përcakton ende se cilat standarde do të ndalohen në secilin vit.
Gjithashtu, dokumenti nuk sqaron nëse kufizimet do të prekin vetëm importin dhe regjistrimin e automjeteve të përdorura apo edhe makinat që janë aktualisht të regjistruara dhe qarkullojnë në Shqipëri.
Për këtë arsye, lista e mësipërme përfshin modele që mund të bëhen objekt i masave të ardhshme, por nuk përbën një listë zyrtare automjetesh të ndaluara.
Një tjetër element i rëndësishëm është se i njëjti model mund të jetë prodhuar me standarde të ndryshme emetimesh. Për shembull, një Volkswagen Golf 4 mund të jetë Euro 3 ose Euro 4, sipas motorit dhe vitit të prodhimit. Kategoria e saktë e çdo automjeti përcaktohet nga dokumentacioni teknik dhe homologimi, jo vetëm nga emri i modelit apo viti i prodhimit.
Strategjia nuk është urdhër për heqjen e menjëhershme të këtyre makinave nga qarkullimi dhe as vendim që përcakton ndalimin e modeleve të listuara. Ajo është një dokument strategjik që orienton masat që qeveria synon të ndërmarrë deri në vitin 2030. Për zbatimin e kufizimeve konkrete do të nevojiten akte të tjera ligjore dhe nënligjore, të cilat duhet të përcaktojnë standardet që do të preken, afatet dhe kushtet për pronarët e automjeteve.
Ndërkohë, strategjia përmban një masë më të detajuar për transportin ndërqytetas të pasagjerëve, ku gjatë viteve 2028–2030 parashikohet rinovimi gradual i flotës së autobusëve dhe heqja e kategorive të vjetruara EURO. Kjo politikë është pjesë e objektivit të qeverisë për të ulur emetimet ndotëse nga transporti dhe për të modernizuar flotën e automjeteve sipas standardeve europiane.












