Avokati i njohur Saimir Vishaj, është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare.
Prej ditës së dielë, ai ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës, pasi ishte rrëzuar nga shkallët në banesën e tij. Gjendja e tij shëndetësor ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditës së djeshme ndërsa mjekët e kishin vendosur në intubim.
Kjo ishte hera e dytë që Vishaj luftonte për jetën, dhe pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha këtë herë nuk arriti t’ia dalë.
Në gusht të vitit 2025, avokati kishte bërë publike se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, për shkak të së cilës kishte qëndruar për një periudhë në gjendje kome dhe i intubuar.
Me një karrierë që nisi në vitin 1998 Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare. Prej vitit 2009, ai drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione të tjera, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komitetit të Disiplinës dhe i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi.












