Në ditën e dytë të aplikimit të gjobave, policia ka ndëshkuar 36 protestues që bllokuan rrugët në protestën e një dite më parë të zhvilluar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugës së Durrësit në Tiranë. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë. Një ditë më parë, policia kishte vendosur 14 gjoba, duke e çuar në 50 numrin e përgjithshëm të protestuesve të ndëshkuar.
Sipas policisë, protestuesit nuk iu janë bindur thirrjeve të përsëritura të efektivëve, të bëra përmes megafonit, për lirimin e rrugës dhe lejimin e qarkullimit të mjeteve.
Këto masa janë pjesë e paketës së re ligjore kundër dhunës gjatë tubimeve, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama si paketa anti-dhunë dhe të miratuar përmes akteve normative. Mes masave të parashikuara në këtë paketë janë edhe gjobat nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrjen në tubime të ndaluara dhe mosbindjen ndaj urdhrave të policisë, si dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat e maskuar që nuk i binden urdhrit për shpërndarjen e tubimit.












