Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka reaguar pas një lajmi se çmimi i patentës do të rritej në 85 mijë lekë të reja.
Gonxhe shprehet se nuk do të ketë as rritje dhe as dyfishim të kostos, por sqaroi se marrëveshja e Drejtorisë Shtetërore të Transportit Rrugor me Drejtorinë e Tatimeve dhe Shoqatat e Autoshkollave synon eliminimin e evazionit fiskal dhe informalitetit në sektorin e Autoshkollave.
“LAJM I GABUAR! Lajmi është: FUND FIKTIVITETIT në Autoshkolla! Zbatim rigoroz i programit të formimit për Leje Drejtimi! Fund lojës me Sigurinë Rrugore! Fund zhvlerësimit të profesionistëve dhe degradimit të tregut të Autoshkollave! As rritet e as dyfishohet çmimi i patentës! Eliminohet evazioni fiskal dhe informaliteti në sektorin e Autoshkollave! Nuk rritet asnjë tarifë publike që lidhet me shërbimin dhe lëshimin e Leje Drejtimit! Goditet fenomeni i sekserëve që kapin kursantë për ti përdorur Autoshkollat si Nipte apo sa për letra, pa u kryer procesi mësimor, duke iu shmangur kurseve në teori e praktikë, në këmbim të një pagese të ulët por të parregullt!”, shkruan Gonxhe.












