Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar këtë të enjte në unanimitet, liberalizimin e vizave për Kosovën. Rregullat e reja do t’i lejojnë qytetarët të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.
Ky vendim historik për qytetarët e Kosovës do të zbatohet që nga data 1 Janar 2024, që korrespondon me datën kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi. Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të Bashkimit Europian.
“Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash”, thuhet në faqen zyrtare të KE-së.












