Kjo e hënë, 24 gusht, nis me një “retreat” të qeverisë, ku ministrat do të analizojnë punën e bërë gjatë periudhës së parë të mandatit të katërt dhe do të përcaktojnë prioritetet për sezonin e ri politik.
Takimi i ministrave vjen një ditë pas mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare në Pogradec, i cila zgjati rreth 7 orë dhe shërbeu si një tjetër hap në përgatitjen e strukturave socialiste për më tej.
Sipas burimeve mediatike, është përfolur që kryeministri Edi Rama mund të sjellë ndryshime në 6 ministri.
Gjatë takimit të së dielës, Rama bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, ndërsa prezantoi edhe “Pasqyrën unike”, një mekanizëm përmes të cilit, sipas kreut të qeverisë, qytetarët do të kenë të pasqyruara të gjitha institucionet dhe shërbimet përkatëse.
Dje, numri një i kabinetit u ndal edhe te mënyra e re e trajtimit të kërkesave dhe problematikave të qytetarëve, duke e krahasuar atë me një “pako postale” që mund të ndiqet në kohë reale.
“Ambicia është që të arrijmë që çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarit të jetë një pako postale që ndiqet në kohë reale, nga dërguesi dhe nga ana tjetër shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”, u shpreh ai.
“Retreat”-i i sotëm do të fokusohet te bilanci i punës për çdo dikaster, duke evidentuar rezultatet e arritura, problematikat dhe detyrat që mbeten për t’u përmbushur.












