Arta Dade ish-deputetja e PS, foli për ish-kryeministrin Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie.
Dade e cilëson Berishën kartë të djegur ndërsa shton se i vjen keq që personalitete të rëndësishme shqiptare ndodhen sot përball drejtësisë për akuza të rënda.
“Më çudit që shumë njerëz, përfshirë edhe ish-ministra të jashtëm, mendojnë se kjo administratë mund t’i heqë statusin “non grata” Berishës. Kur një administratë e cilëson një personalitet si “non grata”, sidomos dikë me të cilin ka pasur marrëdhënie të ngushta dhe e ka mbështetur për dekada, do të thotë se ka arsye madhore për të dalë në atë konkluzion. Nuk ka ndodhur ndonjë rast që t’i kenë hequr këtë status dhe unë nuk e besoj se do të ndodhë, sepse në Departamentin e Shtetit, edhe kur ndërrohen administratat, nuk ka përmbysje të politikave të jashtme të përcaktuara sipas kushtetutës amerikane. Është fatkeqësi e madhe që një opozitë vazhdon të kapet fort pas një figure të djegur dhe të konsumuar, e cila nuk ka më çfarë t’i ofrojë partisë, sepse ai nuk e ka problemin vetëm me Amerikën por edhe me Mbretërinë e Bashkuar“, tha Arta Dade.












