Një “zyrë-shtëpi” ose “shtëpi-zyrë”, këto janë dy skenarët e Sali Berishës për të sfiduar edhe njëherë masën e pritshme të “arrestit shtëpiak” që mund të vendosë SPAK.
Kështu, Berisha mund të ‘burgoset’ në selinë e Partisë Demokratike. Top Channel ka mësuar nga burime konfidenciale se një nga qasjet e Berishës që po diskutohet është shndërrimi i zyrës së tij në selinë blu në një dhomë izolimi ku do të vuajë dënimin.
Zyra e punës së Berishës mund të ndryshojë me rendimin e masës së gjykatësve. Në rast të dakordësisë mes Berishës dhe mbështetësve për këtë ide, në zyrë do të duhet të shtohen mobiljet. Nuk do të ketë vetëm një tavolinë me dosje e karrige si dhe një divan pritës, por duhen krijuar hapësira për krevatin e gjumit të Berishës. Ky shihet si një opsion i mirë nga rithemelimi me dhënien e adresës së selisë si vendqëndrim, përderisa edhe OPGJ-t e patën të vështirë të gjenin një banesë fikse në pronësi të Berishës për t’i komunikuar masën e kufizimit të lirisë.
Një variant tjetër mendohet të jetë kthimi i shtëpisë së familjarëve ku ai jeton, në një zyrë. Vetë Berisha ka paralajmëruar se cilido qoftë vendimi i SPAK-ut, ai nuk do të heqë dorë nga drejtimi i Partisë Demokratike.












