Teksa arrestimi i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë një kryetemë e mediave shqiptare, po kështu ka marrë dhe vëmendjen e shtetit fqinjë e cila ka raportuar ngjarjen.
Gazeta greke “To Vima”, i kushtoi një artikull arrestimit të Metës, teksa shkruan se “mbizotëroi paniku”, për shkak të mënyrës se si kreu i PL-së u shoqërua nga blutë.
“Paniku mbizotëroi në një rrugë qendrore të Tiranës, kur policia e blinduar ndaloi një xhip në mes të rrugës. Automjeti që ata ndaluan nuk ishte i rastësishëm, por ai në të cilin udhëtonte ish-Presidenti i Shqipërisë, llir Meta”, shkruan në hyrje gazeta greke.
Lidhur me pamjet e arrestimit të Metës, ku dukej se ishte përdorur forcë nga punonjësit e policisë të veshur si civilë dhe me maska në kokë, “To Vima” shkruan: “Siç shihet edhe në videot që panë dritën e diellit, si Ilir Meta ashtu edhe shoferi i tij i kanë rezistuar policisë. Në fund policia e ka nxjerrë me forcë nga makina ish-presidentin dhe e ka futur në makinën e patrullës për ta çuar para drejtësisë.”
Po kështu, media greke shkruan se Ilir Meta kishte dijeni për arrestimin e tij, ndaj dhe do mbante konferencë për shtyp për mediat, si një mënyrë për të denoncuar vendimin e marrë ndaj tij, por kjo gjë nuk është e konfirmuar.












