Sekretariati i Etikës ka vendosur këtë të hënë përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve demokratë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Masa u mor pas kërkesës së Partisë Socialiste, pas incidenteve të regjistruara gjatë votimit për Reformën Territoriale, kur dy deputetët e PD-së hodhën shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Belinda Balluku.
Në kërkesën e firmosur nga 10 deputetë socialistë, veprimet e Bardhit dhe Balliut cilësohen si të rënda, ndërsa pretendohet se ato u shoqëruan me fyerje, provokime dhe sulme fizike.
Si pasojë e këtij vendimi, për 60 ditë të dy deputetët nuk do të marrin pjesë në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Gjithashtu, gjatë periudhës së përjashtimit, ata nuk do të marrin pagën si deputetë.












