Ish-presidenti, Alfred Moisiu ka folur mbi situatën politike në vend, ku sipas tij, Partia Demokratike ka një problem të brendshëm, që kërkon t’ja transmetojë të gjithë vendit.
Moisiu deklaroi se këtë situatë e ka krijuar Sali Berisha, teksa pati kritika dhe sa i përket “revolucionit” të përmendur nga lideri demokrat.
“Pse është krijuar kjo situatë? Sepse ne opozitë dhe pozitë kemi patur gjatë gjithë kohës. PD ka një problem të madh brenda vetes së saj. Berisha krijoi foltoren e famshme dhë arriti të krijojë këtë situatë. Ky është një problem i tyre dhe po përpiqen t’ia transmetojnë gjithë vendit, por nuk do t’ja arrijnë. Po përdoret fjala revolucion. Por, revolucion përdoret për të ndërruar sistemin. Ne kemi një demokraci perëndimore, por në cilin vend të Europës kemi dëgjuar që të ndërrohet pushteti me revolucion, ndërrohet vetëm me votë. Nëse nuk arrihet fitorja me votë, nuk je shumicë. Kjo është një pakicë që duhet të imponohet shumicës. Kjo është krejt e gabuar”, tha Moisiu.