Policia Rrugore ka dalë me një njoftim zyrtar pas trafikut të krijuar për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për arsye punimesh, siç është njoftuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Sipas njoftimi, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit, pasi është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij.
Kujtojmë se ARRSH ka nisur sot zbatimin e projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike” në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit, që ka sjellë devijime të trafikut në këtë aks të rëndësishëm.
Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative për të shmangur vonesat në lëvizje.












