Deputeti socialist dhe njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste në Njësinë Nr. 11 në Tiranë, Damian Gjiknuri, ka sjellë një lajm të mirë për banorët e kësaj zone.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjiknuri ka bërë me dije se ka nisur procesi i legalizimit të objekteve përgjatë gjurmës së hekurudhës. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nxjerrë 100 vendimet e para për legalizimin e ndërtimeve informale, duke i dhënë zgjidhje një problematike të trashëguar prej vitesh.
“Lajm i mirë për banorët e Njësisë Nr. 11 Legalizimi i objekteve përgjatë gjurmës së hekurudhës ka filluar të bëhet realitet teksa Agjencia Shtetërore e Kadastrës lëshoi 100 vendimet e para. Një angazhim i marrë para qytetarëve të kësaj njësie që po përmbushet duke i dhënë zgjidhje një problematike të trashëguar”, shkruan Gjiknuri.
Lista e përfituesve është publikuar në faqen zyrtare të ASHK-së, ndërsa procesi do të vijojë edhe për objektet e tjera të identifikuara në bashkëpunim me Hekurudhën Shqiptare. Verifikimi në terren dhe trajtimi i çdo rasti do të kryhet sipas përcaktimeve ligjore, me synim përfundimin e procedurave për të gjitha objektet që plotësojnë kushtet për legalizim.













