Listës së zgjedhësve në Himarë i janë shtuar 311 votues të rinj të cilët janë transferuar me banim nga bashkitë e tjera.
Sipas nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lealba Pelinku shifra është dyshuese, çka është konfirmuar sipas saj dhe nga Drejtoria e Gjendjes Civile. Pelinku thotë se do të kërkojë hetim të mëtejshëm për këtë.
“Siç duket në pamje të parë është evidente, 1/3 e 311, pra 93 zgjedhës të spostuar vetëm në 4 ditët e fundit është një indicie shumë e fortë për të kuptuar që kjo është bërë në funksion të procesit zgjedhor. Por, ligjërisht kjo është diçka që kërkon hetim të mëtejshëm dhe KQZ, unë në cilësinë e nënkomisionerit do të kërkoj informacion të mëtejshëm. Përgjigja që kemi marrë dje nga Drejtoria e Përgjithshme konfirmon këto dyshime. Them konfirmon sepse nëse kemi 311 të spostuar nga lista e fundit e prillit 2023 – korrik 2024, 93 janë spostuar vetëm në harkun kohor të pesë ditëve, nga data 5 korrik, pra nga data e daljes së dekretit, në datën 10 korrik, datë e cila ka qenë e fundit e mundshme ligjërisht për t’u miratuar kërkesa për transferim”, tha Pelinku në “A2 CNN”.












