Analisti Roland Lami ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me protestën kombëtare, e cila tashmë ka hyrë në muajin e dytë.
Në një postim në Facebook, Lami shkruan se për herë të parë në protestë mori pjesë edhe një segment shoqëror që, sipas tij, politika tradicionale nuk ka arritur ta përfaqësojë, duke iu referuar shtresës së mesme të shoqërisë.
Sipas analistit, fuqia e protestës nuk qëndron te organizatorët, por te njerëzit që dalin në shesh, të cilët, sipas tij, janë të vështirë për t’u manipuluar.
Më tej, ai ka kritikuar edhe aktet e dhunës që kanë ndodhur gjatë protestave të fundit, duke theksuar se nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij.
“Në fund, Revolucioni Flamingo nuk do të fitojë nëse bëhet protesta më e zhurmshme. Do të fitojë vetëm nëse mbetet protesta më e ndryshme. Sepse establishmentet nuk shemben kur dikush bërtet më fort se ato. Shemben kur përballen me diçka që nuk dinë ta blejnë, ta frikësojnë, ta delegjitimojnë apo ta kopjojnë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij”, thekson ai.












