Një histori që deri pak kohë më parë do të dukej e pamundur, sot është bërë realitet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Një pacient 68-vjeçar, i cili prej gjashtë vitesh jetonte në errësirë të plotë, ka rifituar shikimin falë një serie ndërhyrjesh të specializuara të realizuara nga ekipi i Shërbimit të Oftalmologjisë.
Ndërhyrjet u kryen nën drejtimin e mjekut Ermal Simaku, duke kombinuar trajtimin e glaukomës me kirurgjinë moderne vitreoretinale. Pas operacionit, pacienti ka arritur të shohë sërish me të dy sytë, duke rikthyer një nga shqisat më të rëndësishme pas një pritjeje të gjatë.
“Lajmi i mirë vjen nga Shërbimi i Oftalmologjisë në QSUT, ku një pacient 68-vjeçar në gjendje verbërie rifitoi shikimin falë ndërhyrjeve të suksesshme të realizuara nga ekipi mjekësor. Investimet në teknologji dhe profesionalizmi i mjekëve po bëjnë të mundur ofrimin e kujdesit të avancuar dhe rezultate gjithnjë e më të mira për pacientët“, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Ky sukses vjen vetëm dy muaj pasi në QSUT u realizua për herë të parë kirurgjia vitreoretinale, një moment historik për okulistikën shqiptare. Ndërhyrja e parë u drejtua nga prof. Ali Tonuzi, duke shënuar nisjen e një epoke të re në trajtimin e patologjive të retinës që deri më tani detyronin pacientët të kërkonin trajtim jashtë vendit.
Realizimi i kësaj teknike të avancuar ka hapur rrugën për trajtimin në Shqipëri të rasteve të ndërlikuara të retinës dhe segmentit posterior të syrit, duke u dhënë pacientëve mundësinë të rikthejnë shikimin pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt klinikave të huaja.












