Kryeministri Edi Rama dhe detaje mbi takimet me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Rama tha se fillimisht e ka pritur McGonigal në zyrën e vet, me kërkesën e tij, ndërsa më pas marrëdhënia ka marrë ngjyresa më miqësore, duke sjellë takime informale.
“Janë 5 takime me McGonigal. Kam bërë dhe një takim në shtator pas asamblesë së OKB. Ai ka ardhur në zyrën time, ka kërkuar takim. Kemi folur herën e parë për çështje të rajonit, të Shqipërisë, me fokus nga pikëpamja e peshës së Rusisë në rajon dhe rrezikun e penetrimit. Kur kam vajtur në Nju-Jork më ka ftuar në zyrën e tij dhe kemi diskutuar në të njëjtat fusha. Takimi tjetër nuk ka qenë më takim zyrtar. Ai ka ardhur dhe më ka thënë jam në Tiranë, nëse ke kohë, pimë kafe. Në Amerikë kur kam vajtur më ka begenisur si mik dhe nuk kemi pasur axhendë specifike”, tregon Rama i cili mohon akuzat.