Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar pas akuzave të SPAK, lidhur me pronësinë e një shtëpie në Qerret.
Veliaj ka theksuar se shtëpia në fjalë është pronë e vjehrrit të tij të ndjerë, Arben Xoxa, dhe ka publikuar foto dhe prova që sipas tij e vërtetojnë këtë pretendim.
Veliaj thotë se prokurori Olsi Dado shkruan në dosje se Arben Xoxa nuk ka qenë kurrë në banesën e tij. Kreu i Bashkisë së Tiranës ka nxjerrë foto të Arben Xoxës nga banesa në Qerret dhe thotë se ai ka qenë në atë shtëpi dhe se prona ka qenë nën pronësinë e vjehrrit, përpara se ai të martohej me Ajola Xoxën.
“Këtë muaj mbushen 6 vjet nga vdekja e Arben Xoxës, qytetar model, një njeri i letrave trashëguar prej Jakovit, profesor, drejtues i RTSH-së, botues i Botimeve Enciklopedike dhe sipërmarrës i suksesshëm pas viteve ’90. Këtë muaj do duhej ta përkujtonim me respekt, por me vendim të ndërtuesit noter Olsi Dado, po persekutohet edhe në atë botë!
Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret – të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën – nuk është në fakt e tija, por e imja.
Po me cilat prova? Ols ndërtuesi thotë se shoferi i 4 muajve të fundit të jetës së Arbenit nuk e ka çuar në plazh. Më fal, por nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor në kokë, nën regjimin spitalor të doktor Petrelës, pse do shkonte në plazh? Dhe i pasëmurë, pse do vente robi në plazh në dimër, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt?”, shkruan nder tjera Veliaj.












