Partia Demokratike është e vetmja opozitë në botë që dhunon mediat, kurse deputetët e Berishes me një arrogancë mundohen të bëjnë fajtor gazetarët pas humbjes katastrofë që pësuan më 11 maj.
Deputetë “besnikë” të Partisë Demokratike duke filluar nga Flamur Noka, Edi Paloka dhe duke përfunduar tek Klevis Balliu kanë filluar të ashpërsojnë gjuhën ndaj gazetarëve të terrenit por edhe mediave të cilët i kërkojnë “llogari” opozitës.
Është e paprecedentë ndërkohë që mediat shkojnë për të pasqyruar një protestë të tyre, për të ngritur edhe shqetësimet që demkratët kanë, gazetarët sulmohen nga eksponent politik dhe pjesëmarrës në protestë.
I pari ishte deputeti demokrat Edi Paloka i cili i kërkoi gazetares te “Euronews Albania” Sara Demushi të mos e intervistojë, e madje i kërkoi asaj largimin e kamerës. Pas tij në mënyrë të ngjashme reagoi edhe Aldo Bumçi i cili u shpreh se nuk u pyet nëse donte të fliste për Euronews Albania, ndaj nuk pranoi të fliste.
Pas reagimeve të tyre, situata u tensionua dhe disa pjesëmarrës në protestë tentuan të mbulonin pamjen e kamerës së Euronews Albania, e madje kanë ofenduar gazetaren e cila u është afruar për të kuptuar e për të bërë mediatike shqetësimet e tyre.
Gjithashtu Klevis Balliu ka pasur një qasje jo pozitive ndaj gazetares, duke i thënë se mund të qëndrojë në protestë por nuk mund të prekë qytetarët, ndërkohë që pjesëmarrësit në protestë kanë qenë ata të cilët kanë kërkuar largimin e medias duke tentuar edhe ti bllokojnë pamjen kamerës.
“Bëni sa pyetje të doni por mos i prekni më me dorë qytetarët”, tha Klevis Balliu, ndërkohë që kanë qenë demokratët në protestë ata që siç mund ta ndiqni dhe në video, që kanë shtyrë operatorin duke mos e lejuar të filmojë.
Pas sulmeve të ndodhura gjatë protestës së opozitës gazetarët e Euronews Albania janë tërhequr nga raportimet. Kjo vjen si reagim pasi deputet por edhe pjesëmarrës në protestën e opozitës, sulmuan dhe ofenduar gazetaren e Euronews, Sara Demushi dhe tentuan të largojnë nga protesta operatorët.
Në lidhje me këto incidente ka reaguar menjëherë Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke dënuar sulmet ndaj përfaqësuesve të medias dhe duke u bërë thirrje drejtuesve të PD-së të ndalojnë menjëherë këto veprime.












