Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas kaosit të krijuar nga Rithemelimi në Kuvend, ku u ndez flakë dhe tymuese.
Për dy deputetët e Rithemelimit, Flamur Noka dhe Albana Vokshi, do të referohen materiale në SPAK. Ministri Balla shkruan se ligji duhet të zbatohet njësoj dhe deputeti nuk mund t’i shmanget duke u fshehur pas imunitetit.
“Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në 5 vite burg. Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrsesi, duke përfituar apo duke u fshehur pas imunitetit!”, shkruan Balla
Ndaj Nokës dhe Vokshit, janë ngritur dy akuza, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, për veprat penale të neneve 151 dhe 154 të Kodit Penal, dënohen nga gjobë deri në 5 vjet burg.