Një nga deputetët e Partisë Demokratike është nën hetim nga SPAK. Kjo ishte deklarata e gazetarit Eni Ferhati i cili tha se hetimet ndaj tij janë në fazën paraprake pas një kallëzimi konkret të depozituar pranë SPAK.
Gazetari refuzon të përmendë emra ndërsa bën me dije se ai deputet sot i ka drejtuar dhe pyetje kryeprokurorit Dumanit gjatë raportimit në Kuvend.
“Ka një kallëzim penal konkret në SPAK për një deputet të Partisë Demokratike, i cili është në fazën e hetimeve paraprake. Ai madje i ka drejtuar pyetje zotit Dumani sot në parlament, por unë nuk do të përmend emra. Nuk bëhet fjalë për Flamur Nokën. Bëhet fjalë për një kallëzim konkret për një deputet të opozitës”, tha Ferhati.
Gazetari shtoi se, përveç këtij rasti, në SPAK janë regjistruar edhe disa çështje të tjera që po hetohen pa emra konkretë personash, por mbi bazën e veprave penale.












