Ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare. Haluci ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në bjeshkët e Tropojës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.
Sipas informacioneve paraprake, mëngjesin e sotëm Haluci u ka thënë familjarëve se nuk ndihej mirë. Vetëm pak minuta më vonë, ai është gjetur pa shenja jete.
Vdekja e papritur ka shkaktuar tronditje te familjarët dhe të afërmit e ish-gjyqtarit. Shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar, ndërsa rrethanat e sakta pritet të sqarohen pas ekspertizës mjekoligjore dhe hetimeve nga autoritetet.
Skënder Haluci ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka shërbyer edhe si kryetar i Gjykatës së Vlorës.
● Kush ishte Skënder Haluci?
Skënder Haluci ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Vlorës në vitet 2011- 2014 prej ku u promovua edhe si kryetar i kësaj gjykate.
Ai u shkarkua nga detyra nga komisioni i Vettingut në vitin 2020. Emri i Halucit është përmendur gjithashtu në një atentat të dështuar ndaj Ramiz Alisë në vitin 1983.












