Numri i kandidatëve në garë për kreun e SPAK ka shkuar në 4.
Pas Andan Xholit të mërkurën ka paraqitur platformën për drejtues të Prokurorisë së Posaçme edhe prokurorja Doloreza Musabelliu, e cila konsiderohet si ‘gruaja e hekurt’ e dosjeve të rënda.
Doloreza Musabelliu nuk deklaron asnjë pasuri të paluajtshme në emrin e saj, nuk deklaron asnjë dhuratë nga prindërit apo vëllai, nuk deklaron hua, as makina dhe as llogari të fryra bankare. Për 9 vite me radhë, nga viti 2004 deri në vitin 2013, prokuroja Doloreza Musabelliu deklaron vetëm pagën e saj si prokurore dhe kursime nga kjo pagë rreth 300 000 lekë në vit.
Më herët kanë paraqitur platformën e tyre për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme prokurorët Klodian Braho dhe Elvin Gokaj.
Sot është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për kreun e SPAK. Pas mbylljes së afatit, KLP do të ketë në dispozicion dy muaj për të shqyrtuar kandidaturat, zhvilluar intervistat publike dhe për të marrë vendimin me votim.












