Shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare feston sot 88-vjetorin e lindjes. Më 28 janar të vitit 1936, u lind në Gjirokastër Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare.
Ditëlindja e Kadares nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë, pasi letërsia e tij është përkthyer në më shumë se 45-së gjuhë. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi, sakaq ka fituar dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’.
Kadare u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.












