Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka hedhur poshtë aludimet që lidhen me kontroll zyre, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat për ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK.
Xhafaj i cilëson këto lajme si të pavërteta dhe pjesë të një fushate të mirëorganizuar shpifjesh kundër tij.
Xhafaj shton se sulmet ndaj tij janë tregues i dobësisë së atyre që i orkestrojnë dhe paralajmëron se të gjithë do të përballen me forcën e ligjit dhe të vërtetës.
“Kam ndjekur kohët e fundit një seri raportimesh në media, plot me të pavërteta, insinuata dhe aludime nga gojë të shthurura e gjuhë të zgjidhura politikanësh apo pseudo-analistësh, që kanë për qëllim veç të përbaltin figurën time. Ashiqare ngjan me një fushatë të orkestruar sulmesh, njësoj siç kanë bërë edhe më parë. Sulme të tilla janë veçse pasqyra e dobësisë se atyre që i gatuajnë, kuzhinierët pa din e iman të çorbës së vjetër e të prishur që i serviret publikut nëpër kanale e portale. Mediat që shpërndajnë këto trillime janë shembull i pasqyrave të thyera që nxijnë e deformojnë realitetin për interesa okulte.
ASGJË NUK ËSHTË E VËRTETË nga ato çfarë është thënë kohët e fundit për personin tim, për gjoja kontroll të zyrës, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat monstruoze për lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Gjithçka nga këto është një thes gënjeshtrash, sajesa të ulëta të gatuara për motive qëllimkëqia, nga njerëz të paskrupullt moralisht! Unë i hedh poshtë me përbuzje dhe neveri. Jam i sigurtë se në momentin e përshtatshëm do të përballen me forcën e të vërtetës dhe ligjit si ata që i kanë nxitur edhe ata që kanë marrë përsipër të përdoren në këtë fushatë të pisët shpifjeje e intrigash publike”, shkruan ndër të tjera Xhafa.












