Një email kërcënues i mbërritur në disa institucione në vend ka alarmuar autoritetet e sigurisë. Mesazhi, i cili pretendohet se është dërguar në emër të “Shtetit Islamik”, përmban kërcënim për vendosjen e një bombe në ambientet e institucioneve.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në adresat elektronike të disa institucioneve është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese, ku pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur një bombë.
Pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur menjëherë verifikimet dhe kontrollet në institucionet e përfshira në kërcënim.
Sipas policise nga kontrollet e kryera nuk është konstatuar prania e bombës apo e ndonjë lloji tjetër eksplozivi.
Njoftimi nga Policia e Shtetit:
“Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive“, njoftim.












