Një lajm i trishtë ka mbërritur pasditen e sotme nga bota e mjekësisë shqiptare pasi bëhet me dije se ka mbyllur sytë në moshën 79-vjeçare doktori Sulejman Budo.
Lajmi i kobshëm është mësuar nga reagime prekës të bëra nga miqtë e tij në rrjet, të cilët kanë njoftuar për humbjen e doktor Budos.
“Me hidhërim të thellë përcjellim lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Asoc. Dr. Sulejman Budos, një prej mjekëve të brezit të tij që i kushtoi më shumë se pesë dekada të jetës mjekësisë shqiptare” shkruhet në reagimin e bërë nga Shoqata e Diabetit në Facebook.
“Një lajm tepër i hidhur që më duhet ta ndaj me ju, te dashur miq. S’kam pak çaste që mësova se ka ndërruar jete, një nga miqtë e shokët e mi më të afërt, mjeku i shquar endokrinolog Sulejman Budo. Nuk kam fjalë, nuk mund ta besoj!!” vijon një tjetër postim prekës për humbjen e doktorit.

Ndonëse doktor Sulejmani mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas një dhimbje të pashërueshme për të gjithë familjarët, miqtë dhe njerëzit që patën nderin ta njihnin, ai do të kujtohet gjithmonë për kontributin maksimal që dha për shoqërinë shqiptare.
Dr. Budo ishte mjek endokrinolog, me një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mjekësisë nukleare, endokrinologjisë dhe diabetologjisë në Shqipëri. Përgjatë karrierës së tij të gjatë ai shërbeu si mjek, pedagog, autor dhe edukues, duke ndarë dijen dhe përvojën e tij me kolegë, studentë dhe pacientë. Ai ishte një figurë aktive e Shoqatës së Diabetit në Shqipëri, ku kontribuoi si lektor dhe moderator, si dhe kryeredaktor i revistës “Për ju diabetikë”.













