Pavarësisht ankimimit të Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhjet në Tiranë nuk do të pezullohen. Kjo sepse Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka shpallur datën e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë Tiranë dhe 5 bashki të tjera.
Begaj dekretoi datën 9 nëntor, si datë për zgjedhjet e parakoshme të cilat do të mbahen në: Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Mat, Berat dhe Cërrik.
Është firmosur dekreti dhe vendimi është tashmë i marrë. Për bashkinë e Tiranës është krijuar një debat nëse këto zgjedhje të parakohshme janë ose jo të ligjshme, pasi sipas kushtetutës, procesi zgjedhor për Tiranën duhet të pezullohet deri në marrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje me këtë presidenca është shprehur në njoftimin e saj se: “Për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.“
Pra është qartësuar që ankesa duhej të ishte bërë në Gjykatën Administrative dhe jo atë Kushtetuese.












