Do të dalin sot në orën 09:30 para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së arrestit në flagrancë, 21 qytetarët që u arrestuan gjatë protestës së 2 korrikut para godinës së Kuvendit.
Protestuesit dhe Grupi Koordinues kanë lajmëruar se do të mblidhen në protestë para gjykatës ndërsa zhvillohet seanca.
Protesta e mbrëmshme nuk kaloi e gjitha paqësore. Episode dhune pati gjatë këtij organizimi, pasi përfunduan fjalimet dhe mesazhet e qytetarëve para godinës së kryeministrisë. Një pjesë e madhe e protestuesve marshuan nga kryeministria drejt Bllokut të Sigurisë, pranë Komisariatit nr.3, aty ku mbahen protestuesit e ndalur pas tensioneve dhe përplasjeve me uniformat blu të enjten para parlamentit.
Pas thirrjeve “Lironi çunat” një grup personash kanë thyer disa xhama të fasadës së ambienteve të komisariatit. Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, duke krijuar një kordon sigurie në të gjithë perimetrin e komisariatit. Po ashtu, u përdor edhe ujë për të shpërndarë protestuesit.
Por, ata nuk u tërhoqën. Një grup u ulën në tokë përballë kordonit të policisë me thirrjet “Lironi çunat”, “Polici e krimit”, “Nuk kemi frikë”.












