Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është paraqitur mesditën e kësaj të enjte pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Burime për mediat bëjnë me dije se në banesën e Rrumbullakut kishte mbërritur një fletë-thirrje për t’u pyetur lidhur me ngjarjen e 21 Janarit. Aktualisht ish-numri një i Policisë së Shtetit është duke iu përgjigjur pyetjeve të oficerit të Policisë Gjyqësore sa i përket ngjarjes së 21 Janarit të 2011 ku humbën jetën 4 protestues, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Asokohe Rrumbullaku ka mbajtur detyrën e drejtorit të Rendit Publik dhe ditën e protestës kishte dalë në terren.
Muhamet Rrumbullaku u largua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në shtator të një viti më parë. Që prej asokohe ish-kryepolici nuk ishte parë më në publik dhe mesa duket përgjatë këtij viti ai ka pësuar një ndryshim të dukshëm në pamje. Ai shfaqet me mjekër dhe thinja teksa futet në ambientet e SPAK.












