Kryeministri Edi Rama ka komentuar kërkesat e protestuesve për “dorëheqjen” e tij, duke deklaruar se shteti nuk mund të dorëzohet përballë protestave.
Gjatë komunikimit të tij, Rama u shpreh se largimi i tij nga detyra do të ndërpriste procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk bëhet fjalë për pushtetin e tij personal, por për atë që e cilësoi si tryezën e negociatave me BE-në. Sipas tij, largimi i tij do të sillte ndërprerjen e këtij procesi dhe do të kërkonte kohë për t’u rifilluar.
Dorëheqje? “Le ta ndërpresim këtu dhe unë ftoj këdo që do të bëjë dialog të flasim çfarë doni dhe ç’mund të bëjmë gjërat më mirë. Nuk është çështje e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Jo me arrogancë, por krenar, bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme, nuk kam më as dëshirë të udhëtoj për pushtet.
Pasuri? Çfarë të them, është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave. Shqiptarët duhet të mendojnë qartë: duan këtë apo BE-në? Do të thonë disa: Pse ike dhe s’do të shkojmë ne në BE? Nuk po them që jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE, jeni ziliqarë, të paaftë, ziliqarë, sepse nuk më mundni dot me fjalë dhe ju ka ardhur dita te guri. E nisët me shishe uji e vezë dhe arritët te guri.
Le ta themi që janë kaq të aftë, negociatat kanë kalendar. Dritarja është hapur tani, kalendari kërkon që çdo ditë të japim e të marrim, ka çdo ditë fluturim në Bruksel e anasjelltas. Kjo ndërpritet nëse unë iki dhe vjen neokomunisti apo matufepsi, u duhet një kohë e gjatë”, deklaroi Rama.












