Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e krizës dhe duke kërkuar që qeveria të përmbahet nga dhuna ndaj protestuesve.
Në një mesazh të shpërndarë në platformën X, Wilson thekson se po ndjek me shqetësim zhvillimet në Shqipëri, të cilën e cilëson si një vend aleat të NATO s.
“Po ndjek me shqetësim të madh krizën që po përshkallëzohet në Shqipëri, vend aleat i NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, shprehet Wilson në mesazhin e paraqitur.
Ai përcjell gjithashtu një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare, duke kërkuar shmangien e çdo forme dhune ndaj qytetarëve që protestojnë.
“Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në të ardhmen e vendit të tyre”, thuhet më tej në deklaratë.
Prej pesë ditësh, vendi është përfshirë nga protesta të dhunshme, me studentët që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa, në Tiranë, Ambasada Amerikane ende nuk ka bërë një reagim zyrtar duke mbajtur një qëndrim për situatën e jashtëzakonshme.












