Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 95 vota PRO dhe 1 kundër ndryshimet në “ligjin për shtetësinë”.
Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama i cili shkruan se talentet e sportit që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë mund të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.
“Tanimë me ndryshimet e miratuara në ligjin “Për shtetësinë” nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Qeverisë, u krijohet mundësia talenteve të sportit që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë, që të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç”, shkruan Edi Rama.
Më herët, FSHF kishte kërkuar ndërhyrjen në ligj për të mundësuar marrjen e pasaportave për sportistët e rinj. Gjithashtu përmes amendimeve të tjera, përjashtohen nga testimi i njohurive të gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipërisë, aplikantët për shtetësi me natyralizim, të cilët vijnë nga shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.












