Një lajm i trishtë ka ardhur nga bota e mjekësisë në vendin tonë, ku është ndarë nga jeta, në moshën 97-vjeçare, Qemal Poçi. Ai mbante titullin Doktor i Shkencave Veterinare dhe një prej figurave të rëndësishme të zhvillimit të Toksikologjisë Veterinare në vendin tonë.
Lajmi është bërë i ditur nga Urdhri i Mjekut Veterinar, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjarët, kolegët dhe brezat e mjekëve veterinerë që u formuan nën ndikimin e tij. Poçi ishte diplomuar me Diplomë të Artë në Akademinë Veterinare të Moskës dhe ishte specializuar në fushën e toksikologjisë ushtarake. Për më shumë se tri dekada, ai i shërbeu veterinarisë shqiptare, si në strukturat ushtarake ashtu edhe në ato civile.
Gjatë karrierës së tij, ai punoi në Spitalin Qendror Veterinar, në ekonomitë më të mëdha bujqësore të vendit dhe në Institutin e Kërkimeve Veterinare. Një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij ia kushtoi edhe mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.
Ceremonia e përcjelljes së fundit do të zhvillohet më 16 gusht, në orën 11:00, në Qendrën Funerale “Alba”, në Rrugën e Durrësit, Tiranë.













