Britania e Madhe është PRO dërgimit të trupave ushtarake në veri të Kosovës nën komandën e KFOR-it, pas situatës së krijuar ku një grup terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës.
Deputetja britanike, Alicia Kearns e ka cilësuar dërgimin e trupave të Britanisë së Madhe në Kosovë si lëvizje të rëndësishme, ndersa ajo shton se “mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit”.
“Lëvizje e rëndësishme konfirmohet dislokimi i të gjithë Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit në Kosovë nën komandën e NATO/KFOR. Mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit: pengo, mbro dhe mbaj përgjegjësi”, shkruan deputetja britanike.
Kujtojmë që Edi Rama disa ditë më parë propozoi që KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Sipas Ramës, vonesa e këtij hapi mund të sjellë viktima të një konflikti të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës.












