Kryeministri Edi Rama u shpreh se Partia Demokratike u dha “strehim politik” protestuesve, duke e akuzuar opozitën për pengimin e Policisë së Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj.
Gjatë fjalës se tij, Rama u ndal edhe te përfshirja e të miturve në protestë, duke u shprehur se ata përdoren nga organizatorët dhe po vendosen në vijën e parë të përballjes me policinë.
Sipas tij, kjo situatë krijon rrezikun e përshkallëzimit të dhunës, ndërsa akuzoi opozitën se po përsërit ngjarjen e 21 Janarit.
“Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë Policinë të bëjë punën e vet. Por s’e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot.
U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe.
Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 Janari, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit.
Dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flakë, kësaj lodhjeje, dhe kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës suaj, shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët e kthjellët dhe familjet e zakonshme të këtij vendi, që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë para televizorit, nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj analistësh që u tregojnë se Policia po gjuan me gurë protestuesit, ua kanë borxh”, tha Rama.












