Ish-kryebashkiaku socialist dhe deputeti Tërmet Peçi është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë që është bërë me dije arsyeja për të cilën mendohet se ai është pyetur në SPAK.
Bëhet fjalë për një hetim të zhvilluar në kohën kur ai ka drejtuar bashkinë e Tepelenës, dhe sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha,deputeti Peçi u pyet në lidhje me një kontratë për një kullotë të dhënë me qira nga këshilli bashkiak i qytetit. Më konkretisht në lidhje me dhënien me qira për 99 vjet të një sipërfaqeje mbi një hektar, e cila ishte mbjellë me pemë arrore por rezultonte tokë kullote.
Kujtojmë se më parë Tërmet Peçi ishte pyetur si deklarues edhe për mënyrën se si është privatizuar ish-pallati i pionierëve në këtë qytet, kallëzuar nga njëri prej pronarëve të objektit.
Deputeti ka këmbëngulur gjatë deklarimit se nuk mund të mbajë përgjegjësi për dokumente të cilat janë siguruar që prej 1986-ës.












