Ministri i Financave, Petrit Malaj ka pezulluar ligjin për rivlerësimin e pronave, një iniciativë që synonte të ulte tatimin mbi fitimin kapital në shit-blerjen e pronave.
Ky vendim është bërë pavarësisht mbështetjes së kryeministrit Edi Rama për këtë nismë në korrik të vitit 2023, i cili deklaroi se ligji do të hynte në fuqi nga fundi i shtatorit me një taksë prej 5% për rivlerësimin e pronave.
Ligji për rivlerësimin e pronave, i propozuar fillimisht nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti në maj, kishte për qëllim të ulte taksën nga 15% në 3%, duke u dhënë qytetarëve dhe bizneseve një mundësi për të rivlerësuar pronat e tyre me një barrë më të lehtë tatimore. Kjo do të thoshte që një qytetar që ka blerë një pronë për 100 mijë euro dhe e shet për 150 mijë euro, në vend të pagimit të një tatimi prej 15% për 50 mijë euro diferencë, do të paguante vetëm 5%.
Por, për shkak të pezullimit të këtij projektligji nga Ministria e Financave, miratimi është shtyrë për janar të vitit 2025, me një probabilitet të lartë që të mos kalojë për shkak të kufizimeve të Kodit Zgjedhor, i cili do të hyjë në fuqi në atë periudhë. Kjo nënkupton që ligji mund të mos miratohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, duke e zvarritur edhe më shumë këtë çështje.